Databaza e Trashigimisë Çarshia e Jupave

Kompleksi “Çarshia e Jupave” gjendet në “Çarshinë e Madhe” të qytetit të Gjakovës. Objekti fillimisht është ndërtuar nga familja Batusha në shek. XVIII. Më vonë ka kaluar në pronësi të familjes Buza. Pas Luftës së Dytë Botërore sistemi komunist ia konfiskon pasurinë familjes Buza dhe ia dhuron familjes Petroviç. Më vonë, familja Petroviç kullën e vjetër me 16 ari e ndan në dy pjesë dhe ia shet familjes Jupa dhe Kusari. Kulla e vjetër ka qenë në tri kate dhe është djegur tërësisht gjatë luftës së vitit 1999. Kulla rindërtohet pas luftës nga familja Jupa duke i ruajtur karakteristikat e kullës së vjetër. Ky kompleks sot përdoret si objekt hotelier dhe afarist (dyqanet).

Kompleksi përbëhet nga kulla e gurit në tri etazhe, që lidhet me kompleksin e dyqaneve të “Çarshisë së Jupave” dhe “Çarshinë e Madhe”. Përdhesja e objektit përbëhet nga kafeneja, në katin e parë është salla e seminareve me restorant dhe në katin e dytë gjenden odat të ndërtuara njëjtë si odat e vjetra të kullave të kombinuara me etnologji tradicionale. Është objekti i parë në të cilën është përdorur metoda e restaurimit (konservim i integruar), ku gjatë restaurimit të objektit përdoren elementet e vjetra tradicionale në objekt të ri. Konstruksioni i ndërkatit është “beton-arme”, ndërkonstruksioni është i ndërtuar me trarë të vjetër të drurit. Konstruksioni i kulmit është nga druri i mbuluar me qeramidhe të vjetra. Dyert dhe dritaret në objekt janë nga druri i bungut. Muret e brendshme në enterier janë nga gurët e lumit. Kulla në tërësi është kopje e kullave tradicionale, tipike të Rrafshit të Dukagjinit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.